24 June 2009

Në luftë për Rubairat e Khajjamit


Në luftë për Rubairat e Khajjamit


Umer Khajjami, në dritë-hijet e përkthimit shqip. Debatohet mbi besnikërinë e Nolit ndaj poetit pers, një betejë sa letrare aq edhe fetare.


Besiana LUSHAJ

(Gazeta “ABC” - Tiranë, datë 30 Dhjetor 2006)

Muslimanët shqiptarë janë të zemëruar me Fan Stilian Nolin, ndoshta që nga dalja e parë e përkthimit të Rubairave nga Umer Khajjami, një mëri që ende nuk është shuar, madje po theksohet. Muslimanët shqiptarë të sotëm po përpiqen të riprezantojnë Khajjamin, jo ashtu siç njihet sot përgjithësisht, por mbi të gjitha si një dijetar (jo vetëm poet) i ndryshëm nga tipologjia e krijuar me përkthimin e Nolit, veçanërisht me vargun “sa je gjallë, kthe kupa e puth çupa”. Nëpër rrethet teologjike dhe letrare muslimane në Shqipëri, për të vërtetë dhe të saktë mbahet vetëm një përkthim, ai i Hafiz Ali Korçës, dijetarit dhe poliglotit musliman të persekutuar gjatë regjimit të kaluar. Ka qenë ai i pari që e ka quajtur Nolin “mashtrues”, bashkëkohësi i tij Hafiz Ali Korça, i cili si një njohës i thellë i persishtes dhe fetar i devotshëm, nuk mund të lejonte që metafiziku dhe poeti persian të humbte aq shumë nga bota prej së cilës vjen, duke u përcjellë nga Fan Noli, tek mendjet e reja shqiptare, vetëm si një poet i kënaqësisë trupore dhe dehjes nga pija. Kështu, Hafiz Ali Korça boton në vitin 1930 “Rubaijjati Umer Khajjamit”, duke vënë si arsye të parë të botimit, rregullimin mbi shtrembërimin që Noli i ka bërë vargjeve të Khajjamit. Por nuk është thjesht një luftë përkthyesish, por është më shumë: një përplasjë mendësish mbi mënyrën e të jetuarit dhe të edukuarit të shqiptarëve. Është lufta për të ruajtur një identitet musliman, ashtu siç jetojnë sot komunitetet muslimane kudo në botë dhe frustrimi që ata ndjejnë nga përçmimi që u bëhet prej kulturave perëndimore, për më tepër, duke risjellë një poet persian, në tone delirante kënaqësie trupore. Për të njëjtën arsye, ribotohet kjo vepër për të tretën herë, në vitin 2006, sipas variantit të parë, nga orientalisti Ermal Bega, i cili ndan të njëjtat mendime për përkthimin dhe vetë Nolin, që ka nxjerrë këto krijime jashtë çdo konteksti fetar. “Noli... mund të ketë pasur tendenca për të treguar atë pjesë islame që përmbajnë rubairat, si diçka banale dhe të pavlerë, duke treguar për shembull për çështje që lidhen me verën ose femrat, duke dashur që njerëzit të pranonin përkthimin e tij si të pastër”, shkruan në pasthënien e librit. Ermal Bega, një orientalist aktiv dhe botuesi i “Rubaijjati Umer Khajjamit” nga Hafiz Ali Korça, beson se përkthimi i Korçës, është i përpiktë si një metro’ mbi vargjet e vjetra persiane, duke iu afruar tepër kuptimit filozofik dhe të virtytshëm të atyre vargjeve. Por, pa mohuar edhe përqasjen fetare të tyre. Ashtu si në një nga shkrimet që përmblidhen në libër, ku shprehimisht thuhet dhe jepen disa fakte nga Hafiz Ali Korça, se Umer Khajjami ka qenë besimtar i përkushtuar, edhe pse ky është një debat që ende nuk i është gjetur filli, pasi figura e Khajjamit është aq komplekse dhe vepra e tij as gjithëpërfshirëse sa të gjithë e gjejnë veten. Dyshimet për mosbesimin e Khajjamit, Korça i përmend kur bëhet fjalë për reagimin e poetit ndaj atyre injorantëve “që shpikin përralla çifutësh” shprehet Korça dhe jo ndaj fesë dhe Zotit. Kurse, Noli është distancuar krejtësisht nga pozicioni i tij prej kleriku, kur ka marrë në dorë rubairat e përkthyera nga FitzGerald, duke u kthyer në një romantik. Studiuesi shqiptar që është thelluar më shumë mbi punën dhe jetën e Fan Stilian Nolit, është shkrimtari dhe studiesi Nasho Jorgaqi, i cili teksa shprehet për figurën e fuqishme të Nolit, tregon ndryshimin e parë që ekziston midis dy figurave bashkëkohëse. “Noli, si talent i fuqishëm krijues nuk ka mbetur rob i fjalës. Ai ka bërë një perifrazim e jo përkthim të rubairave, duke ngritur kundërshtimin e Hafiz Ali Korçës, i cili ka bërë një përkthim teologjik të tyre”, thotë për ABC Nasho Jorgaqi. Sipas tij, Noli, i ka parë Rubairat e Khajjamit, nga pozicioni i krijuesit dhe jo nga ai i teologut, siç është në fakt përkthimi i Korçës dhe arsyeja për këtë ka qenë transmetimi i kontekstit human dhe emancipues të rubairave, në kushtet ku jetonte shoqëria shqiptare e atëhershme. Është pak e çuditshme ky figurim kaq delikat i klerikut shqiptaro-amerikan, i cili duhet ta kuptonte perceptimin fetar të këtyre vargjeve, të paktën lidhur me botëkuptimin shqiptar islam. Anashkalimi i këtij dimensioni, paralelisht të kundërt me të vetin, mund të ngrejë pikëpyetje mbi respektin e Nolit për fenë Islame ose thjesht për një vizion të hapur dhe të çlirët të tij mbi fenë në përgjithësi. Gjithsesi, Jorgaqi shpjegon se përkthimet e Nolit, edhe nga gjuhë të tjera, përmbajnë një forcë të tyren, një dinamikë dhe energji që buron nga Noli. Pra, rubairat e përkthyera nga Noli janë më të bukura dhe poetike, më humane dhe sigurisht të përafërta me kulturën perëndimore. Ndërsa, rubairat e përkthyera nga Korça, janë më të sakta, më afër variantit origjinal, por që humbasin në formë poetike. Në fakt, shqiptarët janë përfshirë në një debat ndërkombëtar mbi figurën, punën dhe besimin e Khajjamit, që kur, njëherë e përgjithmonë ai ndikoi në botëkuptimin perëndimor mbi të vërtetën, ekzistencën dhe vdekjen; pas përkthimit të Rubairave nga Eduard FitzGerald, një poet anglez i shekullit të 19-të, i cili gjithashtu është akuzuar se përkthimet e tij poetike të Rubairave janë krijime më vete, ndryshe nga Rubairat origjinale.
Ndarja mes lindjes dhe perëndimit në të gjykuarit e kësaj figure, është logjikë e ndarjes fetare dhe kulturore mes tyre: në Perëndim ato janë një himn i kënaqësisë sensuale; ndërsa në Lindje ato kanë një reputacion krejtësisht të ndryshëm, njihen si romanca alegorike me Zotin. Gjithsesi shumë nga kuptimet dhe kontekstet e Katrorëve, siç quhen ndryshe, janë të panjohura dhe të pazbuluara si në Lindje ashtu edhe në Perëndim.

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *